Mosha 73-vjeçare është e vështirë edhe për një kampion të madh. Pleqëria, e shkruar pa thonjëza, bën të vetën dhe për Jup Hajnkesin, ish-sulmuesin e magjishëm të Bundesligës dhe trajnerin e mrekullueshëm që nuk deshi të dinte për vitet që kalonin. Gjithsesi, jeta trokiti në “portën” e tij dhe i kujtoi se nuk mund të vazhdonte më, ndaj sot ai do të jetë për herë të fundit në stol si trajner.
Luhet finalja e Kupës së Gjermanisë, Bajern-Frankfurt, në stadiumin “Olimpik” të Berlinit, gjithashtu mundësia e fundit për të fituar një trofe. Kampionët e mbyllin gjithnjë kështu, duke synuar fitoret. Mediat bavareze, tifozët dhe klubi i Bajernit kanë në gojë vetëm një fjalë këto ditë. “Danke”! Një falenderim i madh për njeriun e madh, madje asnjë falenderim me fjalë nuk do të ishte i mjaftueshëm për të vlerësuar atë që ka bërë Hajnkesi.
Jupi nuk ishte si Sër Aleks Fergusoni, në një seri të madhe në të njëjtin skuadër, ndoshta as si Pep Guardiola apo Zhoze Murinjo, me vazhdimësinë e tyre. Veçse, ai la gjurmë të thella tek Borusia e Mynshengladbahut, Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut. Ai fitoi “treshen” e trofeve në 2013 në Mynih dhe ktheu drejtimin e “erës” kur u kthye në “Alianc Arena” vitin e kaluar. Eleminimi i tij në Champions ndaj Realit ishte heroik, skuadra më e mirë humbi, dhe gjithçka ishte meritë e veteranit.
Hajnkes fitoi 4 tituj kampionë, 3 Superkupa, 1 Kupë të Gjermanisë (pritet një tjetër sot) dhe Championsin, por më kryesorja, ai ishte favoriti i tifozëve.
Sfidanti.al