Një kampion nuk dëshiron vetëm shiritin e kapitenit dhe një rrogë maksimale. Për të janë të domosdoshme trofetë, pasi kjo përcakton një karrierë të suksesshme dhe në nivelet më të larta. Manuel Nojer është një nga ata, dhe agjenti i tij i ri, Tomas Krot (në foto, majtas), i ka bërë jehonë pikërisht këtij aspekti, duke shkaktuar alarm tek Bajerni.
“Manueli është i orientuar nga suksesi, – tha ai për gazetën bavareze, “Zydojçe Cajtung”, – për momentin, Bajerni nuk është konkurrues sa duhet në nivelet më të larta europiane. Kam përshtypjen se diferenca me katër skuadrat e para të Anglisë është serioze, ndaj në Mynih nuk më duken gati për të realizuar ambiciet e Manuelit”.
Nojeri ka kontratë deri në 2021, dhe agjenti i tij ka lëshuar një paralajmërim për largimin e mundshëm. Nëse është kështu, kjo është vera e fundit në të cilën Bajerni mund të nxjerrë përfitim të rëndësishëm nga portieri që e mori nga Shalke në vitin 2011. Numri 1 i bavarezëve dhe numri 1 i kombëtares së Gjermanisë është sot 33 vjeç, pra në moshë optimale për një portier, dhe mbetet i padiskutueshëm pavarësisht dëmtimeve që pati së fundmi.
“Padyshim, rinovimi i kontratës është një nga mundësitë tona shumë të rëndësishme, por jo e vetmja, – vazhdoi Tomas Kroti, – Manueli është në një moment ku duhet të vendosë për të ardhmen, duhet të shohë sesi do të shkojnë gjërat. Nëse Bajerni do të jetë i ngadalshëm, ai do të dëshirojë të lulëzojë përsëri”. Pra, të largohet.
Sfidanti.al