Kohë të vështira për ekipet përfaqësuese. Polonia nuk do të ketë yllin e saj kryesor për ndeshjen më të vështirë eleminatore të Kupës së Botës, pasi Robert Levandovski nuk u lejua nga Bajerni i Mynihut. Klubi gjerman vendosi të bllokonte udhëtimin e sulmuesit drejt Anglisë, për sfidën e 31 marsit në “Uembli” të Londrës, tij për shkak të protokollit tepër strikt anti-Kovid, që përfshin jo vetëm testime, por edhe periudha karantinimi.
Futbollisti 32-vjeçar do të bashkohet me kombëtaren për dy ndeshjet e para, në 25 mars në fushën e Hungarisë dhe në 28 mars në Poloni ndaj Andorrës, por do të duhet të kthehet pastaj në Gjermani. Drejtuesit bavarezë theksuan se Levandovski është i domosdoshëm për duelet e ardhshëm që përcaktojnë sezonin. Nëse lojtari shkonte në Angli, Bajerni do ta humbiste në ndeshjen në në Bundesligë me Lajpcigun, rivalin kryesor për titull, e më pas ndaj Unionit të Berlinit, ndërsa polaku nuk do të ishte as në të dyja përballjet çerekfinale në Champions ndaj Paris SG.
Levandovski është golshënuesi kryesor i ekipit të trajnerit Hansi Flik, madje është shënuesi më i mirë në Europë, favorit absolut për të fituar sërish Këpucën e Artë. Ai ka shënuar 32 gola në 24 ndeshje në Bundesligë dhe 39 gola në 35 sfida në çdo garë këtë sezon, ndërsa Bajerni pritet ta ketë të vështirë të mbrojë titujt e fituar vjet në Gjermani dhe në Champions.
Sfidanti.al