Nuk do ta ketë të lehtë dhe shumë pak europiane ia kanë dalë, por do ta provojë. Nikola Jokiç për momentin është në standardet e Dirk Novickit që u shpall numri 1 në NBA në 2007, pasi ka dalë në vendin e parë për këtë renditje këtë sezon. Ylli i Denverit raportohet nga vetë faqja zyrtare e NBA-së si kandidati kryesor për t’u shpallur lojtari më i mirë i sezonit, ndërsa pati një tjetër ndeshje të madhe.
Ai iu afrua tripëll dabëllit në fitoren shumë të vështirë ndaj Çikagos, 131-127, arritur pas kohës shtesë. Ai shënoi 34 pikë, kapi 15 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke pasur edhe 2 vjedhje topi, 1 bllokim gjuajtjeje dhe vetëm 1 humbje topi. Njëzetegjashtëvjeçari u ndihmua shumë nga Xhamal Marrej që realizoi po 34 pikë, si dhe nga Porter e Barton. Basketbollisti shtatlartë ka realizuar 10 tripëll dabëlla këtë sezon, duk qenë në vend të tretë pas Rasëll Uestbrukut e Xhejms Hardenit.
Lojtari serb është numri 1 i edicionit për dabëll-dabëll me 37 të tillë, pra kur shënon mbi 10 pikë e kap mbi 10 topa në tabela, element në të cilin është rekordmen i Denverit duke kaluar Dikembe Mutombon. Jokiç ka mesataren për ndeshje 27,1 pikë, 11 topa në tabela e 8.6 asistë, një nga më të mirat e sezonit. Rivaliteti do të jetë i fortë me Damien Lilardin e Portlendit, Janis Antetokumbon e Miluokit apo Lebron Xhejmsin, ndërsa Xho Embijd i Filadelfias ka probleme me dëmtimet.
Sfidanti.al