Kombëtarja përfundimisht do ta ketë. Nedim Bajrami është i gatshëm edhe me letra për të përfaqësuar Shqipërinë, pasi mori pasaportën kuqezi. Një njoftim i presidencës njofton se kreu i shtetit, Ilir Meta, ia ka dhënë nënshtetësinë mesfushorit 22-vjeçar që luan për Empolin në Itali. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, e kërkoi me ngulm Bajramin duke e cilësuar tepër të rëndësishëm për ekipin, sidomos për pozicionin që ka në fushë, si organizator dhe ndërlidhës i mesfushës me sulmin.
Reja pritet ta grumbullojë në kombëtare për ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës ndaj Andorrës, Anglisë dhe San Marinos, që luhen nga data 25 deri në 31 mars. Bajrami është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, lindur në Tetovë, por ka jetuar në Zvicër që në moshë të vogël. Për Empolin në Serinë B ka 8 gola e 11 asistë në 55 ndeshje, një rendimet shumë i mirë për një mesfushor, aq më tepër me moshën e tij.
Në karrierë ka 39 gola dhe 19 asistë në 197 ndeshje, kryesisht në Zvicër, dhe dy sezonet e fundit në Itali. Ai është aktivizuar me ekipet përfaqësuese zvicerane, nga U15 deri në U21, duke luajtur 50 ndeshje e duke shënuar 9 gola. Kartoni i tij sot vlen 5 milionë euro, ndërsa Juventusi pagoi 2 milionë franga zvicerane për shërbimet e tij, duke e dhënë huazim tek Empoli.
Sfidanti.al