Bajerni i rekordeve dhe modestia e trajnerit Hansi Flik!

Titulli kampion është gjithnjë e më shumë një formalitet, dhe po pritet të shihet sesa shpejt do të pritet “shiriti”. Bajerni i Mynihut arriti në kuotën e 67-të pikëve në Bundesligën gjermane, përkohësisht 10 mbi Dortmundin, pas suksesit 5-0 në “Alianc Arena” ndaj Fortunës së Dyseldorfit. Kur duhen edhe 5 javë deri në përfundim, me një kombinim të favorshëm të rezultateve, titulli mund të fitohet edhe pas një jave.

Kampionët në fuqi po shkojnë edhe drejt rekordeve, ndonëse trajneri Hansi Flik nuk ka dëshirë të dëgjojë për këto gjëra. “Ju thoni se unë jam i pari trajner i Bajernit që fitoj 22 nga 25 ndeshjet e para në Bundesligë (Guardiola kishte fituar 21), por mua nuk më interesojnë rekordet dhe statistikat, – u shpreh Fliku, – ne duam që të fitojmë titullin”.

Matias Jorgensen shkaktoi autogol, pastaj Benzhame Pavar (Benjamin Pavard) realizoi rrjetën e dytë, ndërsa Robert Levandovski goditi dy herë. Përfundimisht, “margaritari” i ri, Alfonso Dejvis vulosi rezultatin, madje kur ishte vetëm minuta e 52-të, dhe bavarezët e hoqën këmbën nga “gazi”.

86 gola të shënuar në 29 javë, ndërsa duhen edhe 5 javë deri nëmbyllje të kampionatit. Me gjasë, “furitë e kuqe” mund të kalojnë edhe shifrën e 101 golave, që është rekordi historik i Bundesligës, vendosur në 1972, nga Bajerni i Franc Bekenbauerit, Zep Majerit e Gerd Mylerit.

Robert Levandovski ka tani 29 rrjeta në 27 ndeshje të luajtura, ndërsa rekordi i Gerd Mylerit me 40 në një kampionat duket i vështirë për t’u arritur. Do të duhet që sulmuesi polak të realizoi 11 herë në 5 ndeshje, dhe të jetë mirë me shëndet për të mos munguar në asnjërën. Ai po shkon edhe drejt fitores së Këpucës së Artë të Europës, ndonëse do të ketë duel me Çiro Imobilen, e ndoshta me Kilian Mbapenë apo ndonjë tjetër.

Sfidanti.al