Muriqi e Vojvoda, Igli Tare shpreson të shtojë “koloninë” shqiptare tek Lacio!

Sezoni ka qenë i shkëlqyer, por gjithnjë mund të bëhet më shumë. Lacio, fituese e Superkupës së Italisë dhe pretendente për titull në Serinë A, këtë vit, mendon se do të duhet të përforcohet, sidomos në sulm, dhe në listën e saj janë edhe dy lojtarë të Kosovës. Vedat Muriqi, ylli ofensiv i Fenerbahçes së Stambollit, është një kandidat i rëndësishëm dhe një alternativë për sulmuesi i Saragozës, Luis Suarez.

Futbollisti 26-vjeçar, që ka shkëlqyer me përfaqësuesen e Kosovës, por edhe me Fenerbahçen në Superligën turke, pëlqehet edhe nga klube të tjerë, sidomos në Angli, ndërsa kartoni i tij mund të arrijë në 20 milionë euro. Igli Tare, drejtori sportiv lacial, e konsideron si lojtar që mund të përshtatet me skemat e trajnerit Inzagi dhe me nivelin e Serisë A.

Futbollisti tjetër i Kosovës që pëlqehet nga Tare është Mërgim Vojvoda. Ky i fundit është 25 vjeç dhe luan si mbrojtës për Standardin e Liezhit në elitën e futbollit belg. Edhe pse lojtar në prapavijë, Vojvoda ka ditur të shënojë, ndërsa këtë sezon ka shërbyer 4 asiste për rrjetat e shokëve të skuadrës. Kartoni i tij besohet se është tërësisht i përballueshëm, 7 milionë euro. Lacio do të mendojë për Vojvodën, nëse mesfushori Adam Marushiç vendos të largohet për në ndonjë skuadër tjetër.

Sfidanti.al