Bajerni fiton në fushën e Shalkes, por askush nuk ndihet i lumtur!

Ndodh edhe kështu edhe kur arrin suksesin e 6-të radhazi në kampionat dhe nis shkëputjen. Standardet tek Bajerni janë aq të larta saqë mediat dhe tifozët nuk mund të kënaqen me “lugë bosh”. Të kuptohemi, të fitosh 2-0 në Gelsenkirshen ndaj Shalkes nuk është “lugë bosh”, por nga Bavaria pati kritika. “Bajerni e mbylli 2022-in me një paraqitje zhgënjyese të pazëshme ndaj Shalkes, – shkruajtën mediat, – Shalke luajti shumë më mirë sesa pritej, ndërsa u deshën dy asiste të Musialës për t’u marrë fitorja. Një ndeshje aspak sensacionale, por këto janë fitore që duhen me patjetër”. Trajneri Nagelsman pati mungesa pasi Mane është i dëmtuar, po ashtu Dejvis, dhe ai nuk deshi të rrezikonte Tomas Mylerin. Serzh Gnabri dhe Erik Çupo-Moting ishin autorët e golave, një në secilën pjesë, ndërsa kampionët kanë tani 6 pikë epërsi ndaj vendit të dytë në Bundesligë (34 ndaj 28 të Lajpcigut në pritje të Frajburgut), ndërsa turneu ndërpritet për t’i lënë vend Botërorit.

Sfidanti.al