Të kuptohemi, një njeri ambicioz si ai nuk do të refuzonte asnjë lloj trofeu, as ndonjë “kupë gazete”, siç bëheshin në Shqipëri në muajin gusht para vitit 1990. Xhoshua Kimih, gjithsesi, ka një dyshim të madh lidhur me potencialin e Bajernit këtë sezon për të luftuar në dy fronte. Ky debat është hapur në Gjermani në prag të duelit të Cjampionsit ndaj Totenhemit, dhe gazeta “Bild” thekson se nëse bavarezët do të fitonin, do të bëheshin skuadra e parë gjermane që fitonte të 6 ndeshjet e grupit.
Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, e ka shprehur qartë idenë e tij se “eleminimi sërish në turin e dytë është i palejueshëm”. Ai nuk e ka harruar disfatën ndaj Liverpulit në të tetat e finaleve. Dëshira në Mynih është për të fituar “kupën me veshë” pra Championsin, por edhe “Pjatën”, pra titullin e Bundesligës.
Këtu ndërhyn Kimih. “Nëse do të jemi të ndershëm deri në fund, – thotë ai, – vjet ne e patëm më të lehtë në Bundesligë, sepse u eleminuam shpejt nga Championsi. Sa më shumë të shkosh përpara në Champions, aq më e vështirë është të gjesh forca për të dhënë maksimumin në kampionat, dhe kjo bëhet edhe më shqetësuese tani që ne jemi mjaft prapa me kreun”.
Sfidanti.al