Ki kujdes Niko Kovaç, stoli i Arsenalit është më “djegës” se i Bajernit!

Nëse në Mynih pati probleme me disa nga lojtarët kryesor, tek Arsenali do ta ketë të vështirë të gjejë se cilët lojtarë janë pikërisht kryesorët. Niko Kovaç jepet si njeriu që mund të pasojë Unai Emerin (dhe trajnerin kujdestar Ljungberg), veçse përvoja bavareze duhet ta bëjë që të ketë kujdes. Në “Emirejts” nuk do të gjejë të tillë si Humels, Tomas Myler apo Levandovski, veçse do të ketë në dispozicion një skuadër së cilës duket se i mungon shtylla kurrizore.

Ish-kapitenit Granit Xhaka i është vënë “kryqi” nga tifozët, Mesut Ozili është kthyer në një “hije” që paguhet 350 000 paundë stërlina në javë, Pepe që kushtoi 80 milionë euro është nga më të dobëtit, ndërsa Lakazetë e Obamejang e kanë mendjen për të ikur. Nuk dihet nëse tekniku kroat do të ketë forcën për ta mbledhur këtë grup, dhe për ta vënë në “shina”. Natyrisht, nëse i jepet kohë Kovaç mund t’ia dalë, pasi e tregoi tek Frankfurti se është një trajner shumë i mirë. Me gjasë, presioni tek Arsenali do të jetë më i vogël sesa tek Bajerni, pra ai mund të ketë sukses dhe ta ringjallë karrierën.

Sfidanti.al