Bajerni dhe Levandovski, ja kush janë “përbindëshat” e golit në Europë!

Kontinenti ka mjaft skuadra të mëdha, me lojë ofensive të frikshme. Për gjysmën e parë të sezonit 2019-2020, garën e golit e fiton Bajerni i Mynihut, me treshen më të suksesshme të Europës. Që nga fillimi i Bundesligës në muajin gusht, Robert Levandovski, Serg Gnabri dhe Filip Kutinjo kanë lënë pas çdo repart sulmues, duke shënuar së bashku 31 gola.

Vetëm Levandovski ka arritur në 19, baraz me treshen e Juventusit, Ronaldo-Higuain-Dibala. Gnabri e Kutinjo kanë shënuar nga 6 herë secili, duke i dhënë shumë forcë sulmuese kampionëve të Gjermanisë, por që gjithsesi nuk janë në vend të parë të renditjes së Bundesligës, por vetëm në të tretin, pas Lajpcigut e Borusias së Mynshengladbahut.

Shumë pranë treshes së famshme të Mynihut, është ajo e Barcelonës. Me Lionel Mesin në përbërje, është e pamundur që katalanasit të jenë keq me shënimin e golave. Kapiteni ka realizuar 13 deri tani, duke ndihmuar shumë edhe shokët e skuadrës. Kjo ka bërë që Luis Suarez të arrijë në 10 rrjeta, dhe Antuan Grizman në 7. Sulmuesi francez duket se po e merr veten pas një fillimi të vështirë, dhe se po ambientohet me lojën e Barçës.

Jo larg treshja imponuese e Paris SG. Kampionia e Francës ka 28 gola nga Kilian Mbape, Mauro Ikardi dhe Nejmar. Pavarësisht dëmtimeve të ndryshme, ata mund të konkurrojnë për të qenë treshja më e mirë e Europës në përfundim të sezonit. Mbape ka tundur rrjetat 11 herë në Ligën e Parë franceze, ish-kapiteni Interit, Mauro Ikardi, ka shënuar 9 gola, dhe Nejmar ka arritur deri në 8. Prapa këtyre reparteve ofensive, janë ata të Mançester Sitit, Liverpulit, Realit të Madridit apo Juventusit.

Sfidanti.al