Le ta themi që në fillim, se asnjëherë pas vitit 1990 nuk kanë qenë si tani. Liverpuli ka yje në formacion, ka stol të fortë, ka një trajner me personalitet dhe fitues, si dhe ka një mentalitet kampioni, ndaj edhe titulli duket më pranë se kurrë në 30 vjet. Gjithsesi, historia është shkruar ndryshe, edhe pse faqja tjetër mund të jetë me shkronja të arta.
Katër herë në vitet 90 dhe 2000, të kuqtë kanë qenë aty ku janë tani, kampionë të dimrit, por kurrë nuk arritën ta fitonin Premier Ligën. Dy herë në rivalitet me Mançester Junajtidin e Sër Aleks Fergusonit në 1996-1997 dhe 2008-2009, si dhe dy herë me Mançesterin tjetër, Sitin, në 2013-2014 dhe pikërisht sezonin e kaluar. Edhe një kapiten i madh si Stiven Xherrardi nuk arriti t’i gëzohej një titulli në karrierë, mëkat i tmerrshëm për një yll të tillë, që të paktën fitoi Championsin.
Liverpuli i Klopit sot ka epërsi të madhe, por nuk duhet harruar se edhe Njukasëlli në 1995-1996 pati 12 pikë avantazh ndaj Mançester Junajtidit, por dështoi në maj. Sidoqoftë, është e sigurt se Klopi nuk do të merret me të kaluarën, por do t’i nxisë lojtarët e tij të shohin përpara.
Sfidanti.al