Bajerni bën një ofertë të madhe për Harri Kejnin!

Flitet për 70 deri në 80 milionë euro, dhe kjo është një lëvizje serioze. Bajerni i Mynihut është i vendosur që të marrë një sulmues të klasit botëror, dhe ky mund të jetë Harri Kejn. Mediat raportojnë se klubi gjerman e gjykon momentin si më të përshtatshmin për një lëvizje të tillë, në një kohë që Totenhemi nuk dëshiron që ylli i tij të bashkohet me Mançester Junajtidin apo me cilindo ekip tjetër në Premier Ligën angleze. Jo vetëm kaq, por duket se është ftohur disi interesimi i Realit të Madridit, për shkak të kërkesës tepër të lartë të klubit anglez, prej 100 milionë eurosh, dhe për shkak të mundësisë për të marrë Kilian Mbapenë nga Paris SG.

Kejn ka edhe një vit kontratë tek Totenhemi, që është ekipi i vetëm i karrierës së tij si futbollist, me përjashtim të ndonjë huazimi kur ishte tepër i ri. Kapiteni i Anglisë ka dashur gjithmonë ta përfundojë karrierën me Spërsat, por dëshiron edhe të fitojë trofe, diçka që nuk e ka arritur në Londër, por që mund t’ia garantojë Bajerni. Kejn është 28 vjeç, një nga sulmuesit më të mirë të botës, dhe shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Premier Ligës. Me gjasë, Totenhemi do ta hedhë poshtë ofertën e parë të Bajernit, por mund të ketë bisedime që mund të përfundojnë me sukses më vonë.

Sfidanti.al