Në kampionatin spanjoll thuhet se më në fund po shkëlqen. Dakord, por kjo vetëm në kampionatin spanjoll që, mesa duket, nuk është më i forti në Europë këto kohë. Reali vërtet kryeson La Ligën, bashkë me Barcelonën, por nuk bindi sërish në Champions, duke u ndalur në barazim 2-2 në “Bernabeu” me Paris SG. Dakord, ishte kualifikuar që më parë, por një klubi të tillë i takon të fitojë në fushën e saj, sidomos për revansh pas katastrofës 0-3 në Paris. Kjo nuk ndodhi, edhe pse Reali kryesoi 2-0, por parizienët morën atë që deshën duke luajtur mirë, madje fare thjesht, me dy gola në fund. Karim Benzemasë iu përgjigjën Kilian Mbape në 81’ dhe Pablo Sarabia në 83’. Reali është në turin e dytë, por me shumë pikëpyetje, ndërsa PSG duket se ka më shumë autoritet.
Po Bajerni? Nuk ishte problem autoriteti në Beograd ndaj Crvena Zvezdës, sesa konfirmimi i ndryshimit të madh me trajnerin e ri (dhe të përkohshëm) Hansi Flik. Gjithçka shkoi “fjollë” me suksesin 6-0, ku Robert Levandovski (në foto) realizoi 4 gola. Ai e bëri këtë në 14 minuta e 31 sekonda, më i shpejti lojtar që shënon 4 herë në një ndeshje Championsi. Po ashtu, polaku la pas Tomas Mylerin (43 rrjeta), për t’u bërë shënuesi më i mirë i Bajernit në këtë konkurrim me 46 gola.
Zhoze Murinjo ndërkaq nuk lejoi t’i prishej debutimi në Champions me Totenhemin, dhe po ashtu debutimi në shtëpi me Spërsat. Fitoi edhe ndeshjen e dytë, pas asaj në kampionat ndaj Uest Hemit, ndonëse gjithçka u bë shumë e vështirë. Grekët e Olimpiakosit kaluan në epërsi 2-0 me gola të shënuar nga El Arabi dhe Semedo. Në fund të pjesës së parë Dele Ali “luajti si Dele Ali” dhe shkurtoi diferencën. Pas pushimit, Harri Kejn, Serzh Orie dhe sërish Harri Kejn, përmbysën rezultatin.
Grupi A: Real Madrid-Paris SG 2-2, Gallatasaraj-Klub Bryzh 1-1. PSG 13, Reali 8, Klub Bryzhi 3, Gallatasaraji 2.
Grupi B: Crvena Zvezda-Bajern 0-6, Totenhem-Olimpiakos 4-2. Bajern 15, Totenhem 1-0, Crvena Zvezda 3, Olimpiakos 1.
Grupi C: Mançester Siti-Shahtar 1-1, Atalanta-Dinamo Zagreb 2-0. Mançester Siti 11, Shahtar 6, Dinamo Zagreb 5, Atalanta 4.
Grupi D: Juventus-Atletiko Madrid 1-0, Lokomotiv Moskë-Leverkusen 0-2. Juventusi 13, Atletiko Madrid 7, Leverkusen 6, Lokomotiv 3.
Sfidanti.al