Bajerni i Mynihut nuk është aspak vetvetja. Nëse ndaj Augsburgut në javën e kaluar të Bundesligës, mori një barazim në “Alianc Arena”, këtë herë në Berlin ndaj Hertës, erdhi humbja e parë. Kampionët e shumëfishtë dhe rekordmenë u rrëzuan në kryeqytet nga golat e shënuar nga Vedad Ibisheviç me penallti dhe Ondrej Duda, që të dy në pjesën e parë, duke bërë një figurë të keqe.
Trajneri Niko Kovaç po e provon për herë të parë sesa e vështirë është të ulesh në stolin bavarez dhe të pasosh legjendën Jup Hajnkes. Pak rëndësi pati fakti se Bajerni e mbajti topin 70 për qind (!!!), dhe që gjuajti 25 herë drejt portës ndaj vetëm 6 të vendasve. Nuk vlejtën 14 goditje nga këndi (1 për Hertën) dhe 628 pasimet, ndaj 275 të berlinezëve.
Rezultati doli 2-0 për Hertën, ndërsa në fushë nuk ishte aspak një Bajern i dobët. Nojer, Kimih, Zyle, Boateng, Alaba, Tiago Alkantara, Hames Rodrigez, Renato Sançez, Roben, Riberi dhe Levandovski, ky ishte formacioni madhështor në Stadiumin Olimpik të Berlinit. Duket se kjo paska qenë java e rënies së gjigandëve, me Realin e Barçën që “hëngrën dru” në Spanjë, me Milanin në krizë në Itali dhe me eleminimin e Liverpulit nga Kupa e Ligës në Angli.
Sfidanti.al