Sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e kësaj skuadre. Trajneri Simone Inzagi e deshi dhe drejtuesi sportiv, Bepe Marota, ia plotësoi dëshirën. Interi e arriti marrëveshjen me Kristjan Asllanin, dhe mesfushori shqiptar do të luajë me fanelën zikaltër për 5 sezone. Mediat italiane njoftojnë se vizita mjekësore e 20-vjeçarit pritet për javën që vjen, por do të ketë një vonesë në prezantim sepse lojtari tjetër, Satriano, ende nuk ka dhë konfirmimin se do të shkojë si huazim tek Empoli. Fillimisht u fol për një rrogë prej 1.2 milionë eurosh në sezon për Asllanin, por sqarimi është se në sezonin e parë ai do të marrë 800 000 euro, e më pas paga do të rritet progresivisht për të shkuar në mbi 1.5 milionë euro. Asllani ishte dëshira e madhe e Interit, dhe kjo bëri që futbollisti të bindej e të refuzonte mundësi të tjera si Milanin apo Napolin në Itali, si dhe disa skuadra në Premier Ligën angleze. Në moshën 20-vjeçare, ai pritet të plotësojë mesfushën milaneze, e të jetë një krah i fortë për kroatin Marcel Brozoviç, që cilësohet si lojtari më i mirë i ekipit. Me Empolin ai shënoi një gol e shërbeu 1 asist në Serinë A, ku arriti të ishte titullar në fazën e dytë të edicionin që sapo u mbyll.
Sfidanti.al