Askush si Holanda, por a do t’ia japë kjo titullin europian?!

Me suksesin ndaj Maqedonisë së Veriut, “tulipanët” e mbyllën fazën e grupeve në Euro 2020 me 3 fitore në 3 ndeshje, pra me 100 për qind të pikëve. Nuk është hera e parë që ka ndodhur, është e treta, pasi Holanda ia ka dalë të fitojë të gjitha ndeshjet e grupit edhe në Euro 2000 dhe Euro 2008. Asnjë skuadër tjetër në kontinent nuk ka mundur të arrijë një rekord të tillë, por a jep kjo garanci se holandezët mund t’ia dalin për të fituar titullin?

Në vitin 2000, me një skuadër të shkëlqyer të drejtuar nga Frenk Rajkard, “portokallinjtë” arritën deri në gjysmëfinalen e turneut, ku dominuan Italinë për 120 minuta, duke goditur shtyllat e duke krijuar raste pa fund, por duke humbur dy penallti gjatë lojës, për t’u eleminuar pastaj me 11-metërsha. Vështirë se ndonjë ndeshje futbolli ka qenë më shumë e pabarabartë sa ajo. Edhe në 2008, Holanda pati një ekip shumë të mirë, por u eleminua në çerekfinale nga Rusia, 1-3 pas kohës shtesë, ndërsa kishin në përbërje Van Persin, Robenin, Snajderin, Van Nistelroin, Huntelarin apo Kajtin. Të shohim nëse do të jetë kjo hera e duhur. Ndaj Maqedonisë së Veriut u fitua 3-0 ndeshja e fundit në grup, me gola të shënuar nga Depai, Vajnaldum e sërish Vajnaldum.

Sfidanti.al