As Konte nuk do ta mbante dot Lukakun tek Interi (madje, iku vetë i pari)!

Tifozët nuk janë aspak të kënaqur,  ndërsa mediat italiane shkruajnë se “titulli kampion nuk shitet, por mbrohet”. Gjithsesi, tek Interi duket se nuk kanë mundësi financiare për të sfiduar ashtu si vjet, dhe kjo po sjell humbjen e “pjesëve”. Pas trajnerit Antonio Konte, që u largua sepse klubi nuk kishte forcën financiare për të mbajtur një ekip në nivelet më të larta, pas Ashraf Hakimit, është gati për të thënë “lamtumirë” edhe Romelu Lukaku. Oferta e Çelsit mund të arrijë në 130 milionë eurot që kërkon presidenti i Interit, Çang, ndonëse mund të pranohet edhe Marko Alonso,  spanjolli që sipas anglezëve ka vlerë kartoni rreth 15 milionë euro.  Londinezët japin  rrogë që shkon deri në 15 milionë euro në sezon, bashkë me shpërblimet, ndërsa në Milano sulmuesi belg merr 8.5 milionë.  Në kushte të tilla, as vetë Konte nuk do ta mbante dot Lukakun, pra as njeriu që e solli tek Interi dhe i dha besim si askush tjetër. Jo më kot, Konte u largua vetë i pari nga zikaltërit.

Sfidanti.al