Arsenali kthehet në krye të Premier Ligës, gabon Man. Siti!

Diferenca tani është dy pikë, ndërsa “topçinjtë” kanë luajtur një ndeshje më pak, pra potencialisht mund të shkohet në +5. E tillë gjendja në krye të Premier Ligës angleze ku Arsenali u rikthye në krye duke lënë pas efektin e disfatës në shtëpi me Mançester Sitin. Kjo ndodhi pas kombinimit të rezultateve, me fitoren e ekipit të trajnerit Mikel Arteta në fushën e Aston Vilës. Nuk ishte aspak e lehtë të triumfohej ndaj skuadrës së Unai Emerit, por londinezët ia dolën 4-2 duke realizuar një përmbysje të dyfishtë. Saka, Zinçenko, autogol i Martinezit dhe Martineli ishin autorët. Uotkins dhe Kutinjo realizuan për Vilën. Më pas, Mançester Siti nuk e ndoqi dot ritmin e rivalit duke barazuar 1-1 në fushën e Notingem Forestit. Pavarësisht epërsisë absolute (75 për qind mbajtje topi), 17 gjuajtjeve (7 në portë), kampionët nuk ia dolën dhe Notingemi barazoi me gjuajtjen e vetme në kuadrat. Bernardo Silva dhe Kris Ud shënuan golat. Arsenali ka 54 pikë në 23 ndeshje, Siti e ndjek me 52 pikë në 24.

Sfidanti.al