Arsenali i Xhakës nuk e ndal hapin, fitorja në Brajton e shkëput 7 pikë nga Siti!

Sfidë e vështirë ndaj një ekipi shumë të fortë, edhe pse ka mbetur pa ish-trajnerin Graham Poter. E tillë ajo e fituar 4-2 nga Arsenali në stadiumin e Brajtonit, që i dha mundësinë ta mbyllë vitin 2022 me diferencë plot 7 pikë nga Mançester Siti. Askush nuk besonte se djemtë e trajnerit Mikel Arteta do ta bënin këtë gjë, dhe askush nuk mendonte se do t’ia dilnin edhe pa sulmuesin kryesor, Gabriel Zhezus, të marrë verën e kaluar pikërisht nga Siti.

Deri tani, ekipi i Granit Xhakës, Odegardit, Sakasë, Martinelit apo Nketias nuk ka gabuar thuajse asgjë, duke u shfaqur si kampion, pavarësisht moshës ende të re. Xhaka ishte në formacion titullar dhe luajti deri në fund, ndërsa golat u shënuan nga Saka, Odegard, Nketiah e Martineli. Avantazhi ishte 3-0 e pastaj 4-1, ndaj edhe fitorja nuk u vu në diskutim. Arsenali ka 43 pikë ndaj 36 të Sitit dhe është tepër i rëndësishëm fakti se golaverazhin nuk e ka edhe aq prapa, pasi ka shënuar 40 gola ndaj 44 të kampionëve dhe ka pësuar 14 ndaj 16 të tyre!

Sfidanti.al