Arsenali fiton derbin më prestigjioz ndaj Çelsit dhe fiton Kupën e Anglisë!

Nuk lejuan që sezoni të dështonte. Arsenali fitoi një trofe të rëndësishëm, Kupën e Anglisë, vetëm pak ditë pas dështimit të parë në 19 vjet, për t’u kualifikuar për në Champions, për herë të. Në një kthesë të papritur të ngjarjeve, skuadra e trajnerit Arsen Venger triumfoi me meritë në finalen e “Uemblit”, që ishte një derbi kundër Çelsit.

U mbyll 2-1 me Arsenalin që luajti më mirë dhe mund ta kishte mbyllur ndeshjen me rezultat më të thellë. Aleksis Sançez kaloi në epërsi “topçinjtë” në prani të rreth 90 000 tifozëve, që në minutën e katërt, duke i dhënë finales drejtimin e duhur për londinezët e veriut. Në pjesën e dytë, Çelsi mbeti me 10 lojtarë pasi Mozes doli me të kuqe në 68’, por gjeti forca që të  barazonte.

Diego Kosta, sulmuesi kryesor, dërgoi topin në rrjetë në minutën e 76-të, por për fat të keq, nuk ishte dita e djemve të trajnerit Antonio Konte. Pa kaluar 3 minuta, Ramsej kaloi Arsenalin sërish në avantazh, një epërsi që nuk do të prekej më. Suksesi në garën më të vjetër të futbollit në botë nuk i jep mundësi djemve të Vengerit që të luajnë në Champions, por është gjithsesi një trofe, madje shumë prestigjioz.

Kjo do të thotë se klubi i shquar nuk e mbylli sezonin me duar bosh, si dhe vendosi dy rekorde. Kjo ishte kupa e 13-të në historinë e tij, një rekord. Po ashtu, kjo ishte kupa e 7-të për Arsen Vengerin, më shumë se çdo trajner në historinë e saj. Gjithsesi, mbetet të shihet nëse francezi do të vazhdojë në detyrë pas 21 vjetësh, dhe po ashtu nëse do të binden për të qendruar edhe Aleksis Sançez apo Mesut Ozil.

Sfidanti.al