Viktor Gyökeres do të jetë përforcimi më i ri i Arsenalit, duke mbyllur kështu një nga telenovelat më të gjata të merkatos së kësaj vere. Sulmuesi suedez largohet nga Sporting Lisbona pas dy sezoneve mbresëlënëse, ku realizoi 97 gola në 102 ndeshje.
Klubi portugez do të përfitojë 63.5 milionë euro plus 10 milionë bonus nga transferimi, ndërsa vendimtare për marrëveshjen ishte vullneti i lojtarit për të kaluar te “Topçinjtë”.
Arsenali ishte zgjedhja e vetme e Gyökeres, pavarësisht interesit të Manchester United dhe ish-trajnerit të tij, Ruben Amorim. Arteta e kishte cilësuar si objektiv parësor, për të shtuar efikasitetin e fazës sulmuese.
Sulmuesi pritet të kryejë vizitat mjekësore brenda pak orësh, para se të hedhë firmën dhe të zyrtarizohet.