Do të duhet të pritet rifillimi i kampionateve sepse për momentin nuk do të ketë mundësi të provohet. Çelsi luan vetëm në tetor, por gjithsesi mediat britanike shkruajnë se trajneri i bluve të Londrës, Graham Poter, po e mendon seriozisht që ta aktivizojë Armando Brojën si titullar në ndeshjet e ardhshme. Sipas “Deili Meilit”, sulmuesi i kombëtares shqiptare po punon shumë fort në stërvitje dhe kjo i ka rënë në sy Poterit, i cili e ka marrë me sy të mirë 21-vjeçarin. Natyrisht, tek Çelsi është Obamejangu që ka ardhur nga Barcelona, por gjithsesi pritet që konkurrenca me Brojën të jetë shumë e fortë. Nëse do të ndodhte kështu, ky do të ishte një ndryshim i madh për futbollistin e lindur në Angli, dhe të formuar pikërisht në Akademinë e Çelsit.
Deri tani, Broja ka qenë aktivizuar me minutazh të paktë nga ish-trajneri Tomas Tuhel, i cili vërtet këmbënguli për ta mbajtur në ekip, por gjithsesi nuk pati aq shumë besim sa për ta aktivizuar titullar apo për një kohë të gjatë. Gjithsesi, Poteri i mbështet të rinjtë dhe e di se çfarë është në gjendje të bëjë shqiptari nëse luan rregullisht, siç e tregoi tek Sauthemptoni sezonin e kaluar në Premier Ligë dhe në Kupën e Anglisë. Për momentin, sulmuesi kuqezi është thirrur në kombëtaren shqiptare nga trajneri Edi Reja për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit në 24 shtator dhe Islandës në 27. Edhe me kombëtaren, Broja është treguar vendimtar, siç ndodhi në ndeshjet ndaj Hungarisë në eliminatoret e Kupës së Botës, e shpresohet të jetë kështu edhe këtë herë.
Sfidanti.al