Ishte një sfidë shumë e vështirë përballë kampionëve të Italisë dhe e luajtur jashtë fushe. Nëse Milanit i mungonte Leao, Napoli nuk kishte sulmuesin e vet kryesor, Osimhen, por gjithsesi për trajnerin Luçiano Spaleti, për lojtarët e tij dhe për tifozët napolitanë festa ishte e plotë. Fitore 2-1 në “San Siro”, me një Amir Rrahmani të Kosovës që është gjithjnë titullar dhe shtyllë e mbrojtjes. Mateo Politano shënoi pas pushimit me penallti të dhënë me VAR, i përhershmi Olivie Zhiru barazoi, por djali i Diego Pablo Simeones, Zhovani Simeone siguroi fitoren.
Pas triumfit të madh ndaj Liverpulit 4-1 në Champions, dhe pas fitores gjithashtu të madhe në Champions 3-0 në Skoci ndaj Sëlltikut, napolitanët vazhdojnë fluturimin. Milani është 3 pikë prapa (dhe ka 8 vjet që nuk fiton në “San Siro” me këtë rival), Interi është 5 pikë prapa dhe Juventusi 7. Napoli ka 17 pikë, po aq sa Atalanta ndonëse me golaverazh lehtësisht më të mirë, duke qenë që të dyja në vendet e para të Serisë A.
Milan-Napoli 1-2 (Politano 55’ (p), Zhiru 69’, Simeone 78’
Milani (4-2-3-1): Menja, Kalabria (Dest 46’), Kjer (Kalulu 46’), Tomori, Teo Hernandez, Benaser, Tonali, Selemekers (Mesias 66’), Kruniç (Brahim Diaz 66’), De Keteler (Adli 82’), Zhiru.
Napoli (4-2-3-1): Mere, Di Lorenco, Rrahmani, Kim, Mario Rui (Matias Oliveira 90’), Anguisa, Lobotka, Politano (Xerbin 66’), Zielinski (Elmas 87’), Kvarackelia (Ndombele 87’), Raspadori (Simeone 67’).
Sfidanti.al