Argjentinë-Kroaci është dueli Mesi-Modriç, një sfidë që nisi 16 vjet më parë!

Ajo që ndodhi katër vjet më parë duhet lënë pas. Në Botërorin rus Luka Modriç e fitoi duelin me Argjentinën dhe Lionel Mesin, veçse historia shpesh përsëritet dhe ja, dy legjendat janë sonte sërish përballë. Nuk është më ndeshje grupi, por gjysmëfinalja e madhe e Kupës së Botës, e më e madhe se kjo është vetëm finalja, ku të dielën do të jetë vetëm njëri prej yjeve. Kush do t’ia dalë, Mesi apo Modriç? E pamundur ta dish, por e qartë është se sfida mes tyre është një nga më të bukurat në futbollin e dekadave të fundit. Gjithçka nisi 16 vjet më parë, në 2006, kur Kroacia mundi Argjentinën 3-2 në Zvicër, kur 21-vjeçari Modriç bëri debutimin me fanelën me kuadrata si fusha e shahut. Luka fitoi, por skenën e mori Mesi që shënoi gol, ndërsa ishte vetëm 19 vjeç. Nëse bilanci Argjentinë-Kroaci është në ekuilibër, kapiteni ballkanas kryeson 2-1 me fitore ndaj atij amerikanolatin.

Sidoqoftë, ata kanë qenë më shumë sy më sy në La Ligën e Spanjës, në “El Klasikon” mes Barcelonës dhe Realit. Argjentinasi mbetet protagonisti absolut i derbit më të madh të botës, me rekordin e golave e gjithçka tjetër, por magjistari nga Ballkani i ka bërë tifozët madrilenë që të dashurohen plotësisht me të. Rrugët e tyre janë kryqëzuar edhe në ceremoninë e Topit të Artë, kur fituesi i 2018-ës, Modriç, ia dorëzoi trofeun pasardhësit të tij, Lionel Mesit që sot mban rekordin me 7. Gjithsesi, në orën 20:00 të gjitha këto duhet të lihen pas. Dy yjet kanë udhëhequr ekipet e tyre nga suksesi në sukses në këtë Botëror, kanë qenë gjithmonë më të mirët, edhe pse fatkeqësisht njëri prej tyre sonte do të duhet të kthehet në shtëpi. Argjentina dhe Kroacia janë stërvitur, në pamje të parë në qetësi të plotë, edhe pse tensioni ekziston dhe është i madh. Mesi dhe Modriç duken gati për atë që mund të jetë dueli i tyre i fundit në kombëtare.

Sfidanti.al