As arbitri nuk e ndalon dot Mesin, Barça merr pikë titulli në Valencia

Deshi ta “lagte” me gol firmosjen e kontratës së tij të re, por gjithsesi, e la shenjën. Lionel Mesit iu anulua një rrjetë e rregullt në pjesën e parë të duelit të madh Valencia-Barcelona në “Mestaja”, por ylli argjentinas gjeti mundësinë ta ndihmonte skuadrën e tij. Pasi vendasit kaluan në epërsi në 60’ me anë të Rodrigo Morenos, numri 10 “kule” dha pasimin e tij milimetrik dhe “magnetik” për Zhordi Albën, nga këmbët e të cilit erdhi goli i barazimit. Zakonisht kjo dyshe krijonte gola që i shënonte Mesi, por këtë herë rolet u ndërruan.

Barazimi, arritur në minutën e 82-të, mund të quhet një “pikë e artë” apo një “pikë titulli” për katalanasit që shpëtuan nga humbja edhe në një nga tre fushat më të vështira të Ligës spanjolle këtë sezon. Më herët barazuan në “Uanda Metropolitana” të Atletikos, ndërsa ende nuk kanë vizituar “Santiago Bernabeun”.

Diferenca e skuadrës së trajnerit Ernesto Valverde me ndjekësit mbetet shumë e mirë. Katër pikë me Valencian dhe 8 pikë me dy skuadrat e Madridit, Atletikon dhe Realin. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte, kur pjesën më të madhe të përballjeve të vështira e ka luajtur jashtë fushe. Pas duelit në “Mestaja” vijnë tri sfida të pranueshme ndaj Seltës (shtëpi), Vijarrealit (jashtë) dhe Deportivos (shtëpi), përpara se të shkohet në “Bernabeu” për “El Klasikon” e 23 dhjetorit.

Sfidanti.al