Anglia trondit Europën me fitore 4-0 ndaj Ukrainës!

A mund të thuhet se kontinenti është trembur prej tyre? Anglezët kanë arritur shumë rrallë ta bëjnë diçka të tillë, ndoshta vetëm në 1966 e 1996, por gjithsesi mund të themi se janë bërë më në fund një skuadër vërtet serioze. Fitorja 4-0 ndaj Ukrainës, me të cilën u arrit kualifikimi i stërmerituar për në gjysmëfinalet e Europianit, u arrit nga një ekip që ndoshta nuk ka yjet më të mirë të historisë së tij, por që është kthyer në një makineri rezultatesh. Tepër e vështirë për t’i shënuar gol, dhe tashmë e ka më të lehtë për të realizuar.

Kapiteni Harri Kejn shënoi dy herë, nga një herë Geri Megajer e Xhordan Henderson. Nuk është mirë të bëjmë krahasime me të kaluarën dhe me të tjerët, por Anglia e Sauthgejtit i ngjan sado pak Gjermanisë së dikurshme, një ekipi shpesh jo të bukur për ta parë, por tepër serioz që nga fillimi deri në fund. Meritë e një trajneri tepër punëtor dhe modest, pasojë edhe e dekadave të zhgënjimeve, por edhe e shkollës shumë të mirë angleze, që e ka mbushur kombëtaren me talente. Imagjinoni një ekip që mban në stol Hendersonin, Rashfordin, Belinghamin, Tripierin, Fodenin apo Grelishin.

Ukraina u përpoq në pjesën e parë dhe ishte mjaft dinjitoze, duke e vënë në vështirësi rivalin e saj të madh dhe superior. Pas pushimit, pasi anglezët lexuan lojën, e patën më të lehtë, ndoshta edhe sepse goditën shpejt. Nuk dihet tani se cila mund të quhet më e mirë në këtë Europian, Anglia apo Italia, por që të dyja janë pretendentet kryesore për titull. Ishullorët nuk kanë pësuar asnjë gol në 5 ndeshje, kanë shlodhur lojtarët, ndërsa arritën për herë të tretë në historinë e tyre në gjysmëfinale të Europianit. E kishin bërë më parë në 1968 e 1996. Ndoshta kjo është hera e duhur, aq më tepër që gjysmëfinalen ndaj Danimarkës në 7 korrik, dhe finalen e mundshme, do t’i kenë në “Uembli” të Londrës, në prani të 60 000 tifozëve.

Sfidanti.al