Anglezët të paralajmëruar, “Mëmëdheu Thërret” nuk preket

I ka qëlluar Anglisë që të luajë në Vollgograd, dhe do ta bëjë këtë në ndeshjen e parë ndaj Tunizisë. Kombëtarja e “tre luanëve” u vendos në Peterburg, në Veriun rus dhe u prit me “bukë e kripë” sipas zakonit të vendit, veçse tifozët janë në jug, në brigjet e Vollgës, dhe kanë marrë një paralajmërim.

“Respektojmë Anglinë, ndjekim futbollin anglez, dhe mirëpresim tifozët, por monumentet tona janë të shenjta, – u shpreh një drejtuese vendore në Vollgograd, – qyteti është i shenjtë dhe kjo është mbi të gjitha”. Gjithçka është e qartë, tifozët anglezë (kuptohet ata më të prapët) duhet të mendohen dy herë përpara sesa të prekin monumentet, mbi të gjithë monumentin madhështor që dominon qytetin në kodrën e Mamajev Kurganit, dhe që quhet “Mëmëdheu thërret” (Rodina Mati Zavjot).

Shpesh tifozët anglezë janë sjellë si pushtues në qytetet e huaja, por këtë herë nuk duhet as ta mendojnë këtë, pasi reagimi nga policia dhe nga vendasit do të ishte i ashpër. Në Betejën e Stalingradit humbën jetën mbi 1 milionë njerëz sovjetikë, dhe kujtimi i tyre padyshim është tepër i shtrenjtë. Nuk mund të thuhet se rusët janë të “shëruar” nga huliganizmi, përkundrazi, ndaj shpresohet që as tifozët vendas të mos mendojnë sulme ndaj anglezëve.

Sfidanti.al