Ançeloti: Kur e kemi topin nuk kanë çfarë të na bëjnë!

Rruga drejt titullit të radhës duket e njëjta. Në çerekfinale ndaj Çelsit dhe më pas kundër Mançester Sitit, që pritet të kualifikohet ndaj Bajernit, ndonëse ende asgjë nuk është e sigurt. Kështu ndodhi edhe vjet, kur Reali i Madridit mundi të dyja skuadrat angleze për të marrë Championsin në finalen me fat ndaj Liverpulit. Gjithsesi, mbrëmjen e kaluar në “Stemford Brixh” nuk ishte punë fati. Reali mbetet forca kryesore e futbollit europian siç e tregoi ndaj Bluve të Londrës, duke fituar me dy gola të sulmuesit brazilian, Rodrigo. Edhe pse vuajtën në pjesën e parë, madrilenët e kontrolluan ndeshjen dhe kaluan në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-0. Përtej përpjekjeve të Çelsit, përvoja e skuadrës spanjolle ishte tepër e madhe, ashtu si edhe aftësia taktike e trajnerit Karlo Ançeloti.

“Patëm një diskutim në pushim të ndeshjes për problemet që kishim në mbrojtje. Duhej të ishim pozicionuar më mirë në fushë. Vuajtëm diçka në pjesën e parë. Gjithsesi, kur ne kemi zotërimin e topit, askush nuk mund të na bëjë asgjë. Rodrigo zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Në të kaluarën ka luajtur edhe më mirë, ka pasur paraqitje spektakolare, por këtë herë kishte një efikasitet të jashtëzakonshëm”.

Sfidanti.al