Në Bremen u arrit fitore dhe kreu i Bundesligës u mbajt. Kjo mund të quhet e mjaftueshme, por jo për një superfuqi si Bajerni që nuk dëshiron të vihet në pozitë të vështirë nga skuadra që nuk e kanë aspak potencialin e tij. Verderi ia bëri punën të vështirë në 30 minutat e fundit, dhe trajneri Karlo Ançeloti u shfaq i shqetësuar. “Pas minutës së 60-të ne i humbëm idetë dhe vetëm u mbrojtëm, – tha trajneri, – në fund të ndeshjes, ishim pak të trembur”.
Kur bavarezët vihen në vështirësi nga Verderi, ç’mund të thuhet për Arsenalin, ndaj të cilit do të luhet në Champions pas dy javësh e gjysmë? Kapiteni Filip Lahm kërkon të qetësojë ambientin. “Nuk ka arsye për t’u shqetësuar, – thotë ai, – jemi ne të parët kritikë ndaj vetes dhe e dimë se duhet të përmirësohemi”. Pra, sipas kapitenit, kjo do të ndodhë në kohë.
Për momentin, Bajerni duket në dorë të “pleqve”. Riberi e Roben janë nga 33 vjeç dhe kanë shënuar e kanë dhënë pasime vendimtare, pak a shumë si Robert Levandovski. Ç’do të ndodhë nëse ata nuk do të jenë në gjendje për të luajtur?