Nëse Barcelona do ta humbasë titullin kampion, kjo do të ndodhë edhe nga mungesa e teknologjisë. Kjo duket se është ideja e trajnerit Luis Enrike pas një tjetër dite të vështirë në Primera Divizion. Një penallti nuk iu dha për Nejmarin, dhe një gol i rregullt nuk u dha gjithashtu, në një përballje që përfundoi barazim dhe që mund ta lerë edhe më prapa ekipin katalanas nga Reali. Edhe pse me lojë Barça nuk shkëlqeu aspak, nëse episodet do të vlerësoheshin siç duhet, fitorja do të kishte ardhur.
“Gjyqtarët kanë nevojë për ndihmë, – u shpreh Luis Enrike pas ndeshjes, – pashë fotot e momenteve të dyshimta, dhe them se duhen kamerat që arbitrat të kenë mundësi të drejtojnë më mirë. Unë flas në parim, jo për faktin nëse na ndihmuan apo na dëmtuan”. Edhe tifozët katalanas në rrjetet sociale kanë kërkuar teknologjinë, ndërsa mediat katalanase kanë sulmuar disa herë gjyqtarët që, sipas tyre, i kanë prishur punë Barcelonës.