Ançeloti dorëzohet për Benzemanë: Nuk do të rrezikojmë!

Ishte protagonist në paraqitjen në publik të fanelave të reja. Karim Benzema është fytyra e Realit të këtij sezoni, padyshim lojtari më i mirë i skuadrës për golat, asistet dhe kontributin, veçse derbin e Spanjës do ta humbasë. Sulmuesi francez, autor i 22 golave në 25 ndeshje të La Ligës, u dëmtua në ndeshjen e kaluar të kampionatit në fushën e Majorkës, ku shënoi që të 3 golat. Ky dëmtim nuk paska qenë edhe aq i lehtë dhe Benzema nuk mundi të merrte pjesë në seancën stërvitore të një dite më parë në kompleksin sportiv të klubit, në Valdebebas. Një futbollist që nuk stërvitet për një javë me radhë vështirë të ketë shpresë të luajë, dhe këtë e pohoi vetë trajneri i Realit, Karlo Ançeloti.

“Karimi dhe Mendi nuk mund të luajnë këtë të diel, – tha italiani shkurt, – ata do të punojnë me ekipin për të qenë gati për javën që vjen. Nuk kemi rrezikuar kurrë, nuk do të rrezikojmë as tani”. Ançeloti pritet të luajë me treshen sulmuese të përbërë nga Vinisius, Rodrigo dhe Marko Asensio, pa llogaritur Hazarin, Joviçin apo Marianon. Gjithsesi, vështirësia pritet të jetë e madhe sepse Benzema është lojtari më i spikatur i madrilenëve, me 32 gola e 13 asistë këtë sezon. Reali kryeson renditjen me 66 pikë ndaj 56 të ndjekësit më të afërt, Seviljes, ndërsa Barcelona është në vendin e tretë me 51 pikë dhe një ndeshje më pak. Katalanasit u mundën 1-2 në El Klasikon e fazës së parë në “Kamp Nou”, por kohët kanë ndryshuar. Me mbërritjen e trajnerit Ksavi Hernandez, ekipi është rikthyer tek fitoret në kampionat dhe në Ligën e Europës.

Sfidanti.al