Analisti gjerman: Më tremb “liqeni” i qetë i Bajernit

Raimund Hinko është një gazetar veteran që merret me klubin bavarez prej dekadash. Në një farë mënyre, ai mund të quhet specialist për Bajernin, dhe këto ditë ai botoi një koment në “Sport Bild”, duke treguar se është i shqetësuar. Analiza e tij e kishte titullin “Bajerni im”, dhe ishte shkruar në një formë të tillë që i drejtohej legjendës bavareze, Oliver Kahn.

“I dashur Oliver Kahn, – shkruan Hinko, – do të doja të isha me ju dhe të pija disa gota shampanjë për ditëlindjen tuaj të 50-të. Gjithsesi, nuk jam i lumtur, dhe po ashtu edhe shumë tifozë bavarezë që më shkruajnë, dhe që nuk shijojnë dot as birrën dhe as verën”. Cili është shqetësimi i gazetarit veteran Hinko?

“Frankfurti po merr një serb tjetër pas ikjes së Joviçit, – vazhdon ai, – Leverkuseni, Dortmundi, Gladbahu, Lajpcigu dhe shumë klube të tjerë të Bundesligës po punojnë me ritëm të lartë (pa përmendur Realin), “liqeni” është i qetë në Rrugën “Zebener” (selia e Bajernit). Nëse mendoni se klubi është në duar të sigurta me Uli Hënesin dhe Rumenigen, atëherë do të dyshoni se trajneri dhe drejtori sportiv, po e përplasin atë pas muri”.

Hinko kritikon Kovaçin dhe Salihamixhiçin për largimin e Humelsit, për humbjen e pritshme të Tomas Mylerit dhe për ikjen tashmë të sigurt të Hames Rodrigezit. Gazetari shpreson që klubi të marrë Leroi Sanenë, Timo Vernerin apo Rodrigon e Atletikos, por jo Garet Bejlin, një “mollë të kalbur”!

Sfidanti.al