Flamuri është në gjysmështizë për largimin e Françesko Totit (kështu duhet të jetë), por kjo nuk do të thotë se Roma vetëm po “mban zi” e nuk po bën asgjë tjetër. Në një klub futbolli, që duhet të pretendojë suksese sezonin e ardhshëm, dhe në një ndërmarrje biznesi, kjo nuk lejohet as për lamtumirën e legjendës, dha një nga çështjet më të nxehta është ajo që quhet “Nikolò Zaniolo”.
Kush nuk po e kërkon “çunin e mamit të bukur”, një nga yjet 20-vjeçarë më të kërkuar, jo vetëm të Italisë, por edhe të Europës. Juventusi padyshim, sidomos tani me Mauricio Sarrin në stol. Nga Anglia, njihet interesimi i Totenhemit të Maurisio Poçetinos, por Roma nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë. Kryeqytetasit i kanë vënë çmimin 70 milionë euro kartonit të Zaniolos, veçse kjo nuk do të thotë se do të pranojë ta humbasë.
Romës vërtet i duhen 40-50 milionë euro për të rregulluar bilancin, por këto para do të sigurohen nga transferime të tjera, si ata të Xhekos, Manolasit, Xhengiz Ynderit apo Pelegrinit. Në fund të fundit, Zaniolo ka kontratë deri në 2023, pra gjithçka është nën kontroll.
Sfidanti.al