Disa dekada më parë, shkronjat e stampuara në fanela mrekullonin të gjithë ata që adhuronin futbollin. Ferenc Pushkash dhe George Haxhi ishin dy heronj të epokave të ndryshme, i pari në vitet 50-60-të, dhe i dyti në vitet 80-90-të, por thuajse njëlloj të dashur për tifozët e tyre dhe në të gjithë rruzullin.
Shpresat e sotme të Rumanisë, pra kombëtarja U21 e këtij vendi, ka në përbërje dy lojtarë me këta mbiemra fantastikë, duke arritur gjithashtu një rezultat fantastik ndaj Kroacisë, 4-1, në finalet e Europianit. Rumunët e rinj i mposhtën kroatët edhe falë Ianis Haxhit dhe Xhorxhe Pushkashit. i pari është “trashëgimtar” i “mbretit” George Haxhi, pasi është djali i legjendës më të madhe të futbollit rumun.
Haxhi i ri ka 34 ndeshje për ekipet zinxhir të Rumanisë, duke nisur nga U15, duke shënuar edhe 12 gola, ndonëse është vetëm 20 vjeç. Ai ishte tek Fiorentina, dhe pastaj u kthye tek Vitorul e Konstancës, në pritje të një transferimi të madh.
Xheorxhe Pushkash nuk ka lidhje me Ferencin e madh, të paktën nuk është i biri, por padyshim që duhet të jetë me origjinë hungareze. Ai ka qenë tek Interi në moshë fare të re, ndërsa në 2018 u kalua tek Palermo. Ndaj Kroacisë, Pushkash fitoi penallti dhe shënoi gol nga 11 metra, pastaj shërbeu asist për golin e Haxhit.
Sfidanti.al