“Me ujin, me zjarrin dhe me qeverinë mos u merr”! Kjo është aksioma shqiptare e vjetër sa shoqëria jonë, dhe vazhdon të mbetet aktuale. Mund të jesh skuadër shumë e mirë, apo ndoshta jo aq e mirë, por “njolla në biografi” të bën të nxihesh. Flamurtari është një “nxënës” për të cilin “mësuesit” kanë opinion të keq dhe duket se nuk po ia përtojnë që ta godasin sa herë të kenë mundësi.
“Nuk besoj se do të marrim penallti deri në fund të kampionatit, – u shpreh trajneri Duro pas ndeshjes me Skënderbeun, – na anuluan gol, që për mua është padiskutim i rregullt. Gol të rregullt na anuluan edhe me Kukësin. Në këto kushte, duhej të kishim fituar, por nuk qe e mundur”.
Vlora nuk është e vetme në këtë lojë “opinionesh”. Luftëtari po ashtu u ndëshkua keq nga gjyqtari Ziri në përballjen me Teutën në Gjirokastër. Një goditje dënimi qesharake solli golin e avantazhit 2-1 të durrsakëve, ndërsa një penallti e dyshimtë thuajse ia siguroi fitoren miqve. Në krahun tjetër, për Luftëtarin nuk u dhanë dy goditje dënimi flagrante radhazi.
“Qeveria” e futbollit në Shqipëri nuk është vetëm Federata. Natyrisht, ajo është kryesorja, por është edhe “filan” e “filan” president klubi që ka bërë apo bën ligjin. Është “peshku i madh” që e ha “të voglin”. Pak rëndësi ka nëse klubi quhet Kukësi, Skënderbeu, Laçi apo Teuta, ajo që vlen është se “meritokracia” nuk para pëlqen të banojë në anët tona. E tha drejt zv. presidenti i Luftëtarit, se “vjet e dinim që në fillim se titullin do ta merrte Kukësi”.
Sfidanti.al