As sot e kësaj dite ne nuk e dimë me saktësi sesa shoqata futbolli ka Shoqata Rajonale e Futbollit në Tiranë. Në ditën kur u bënë zgjedhjet, të dyja palët, mbështetësit e Armand Dukës në një krah dhe të Erion Veliajt në krahun tjetër, akuzuan rivalët se po manipulonin. U mor një vendim nga gjykata që njihte “shoqatën e Veliajt” me kryetar Eduard Prodanin, ndërsa fillimisht në FSHF mbajtën “refrenin” se “sporti ka gjykatat e veta, dhe jo gjykatat civile”. Gjithsesi, mjaftoi një “shenjë” nga shefi dhe gjithçka ndryshoi, e tani Asmbleja nuk mund të mbahet sipas planit, për të zgjedhur presidentin dhe Komitetin Ekzekutiv, por për të “ngrënë fara”.
Nuk po i hyjmë se çfarë lëmshi është bërë me statutin që nuk di të thotë nëse Asambleja mund të ndahet në dy copa, nëse duhet Asamble tjetër e zakonshme apo e Jashtëzakonshme, dhe nëse afatet e vjetra bien e në garë mund të hyjnë kandidatë të tjerë përveç Dukës, Shakohoxhës e Starovës! Po themi vetëm se nga vendimi i gjykatës së Tiranës, “kompromisi” me palëve ishte jo që të bënin transparencë, por që të hiqnin një kryetar e të vinin një tjetër. Përtej respektit për personalitetin e Prodanit apo kontributin e Alimehmetit në futboll, qytetarët nuk dinë se cila nga Asambletë Rajonale ishte vërtet e rregullt, nëse ndonjëra prej tyre ishte e tillë. Për Asamblenë e mbledhur në FSHF nuk po flasim, pasi janë thënë boll shkelje për të, por po flasim për asamblenë e Veliajt që e vendosi kamerën “me pamje nga muri”, duke treguar vetëm dy rreshta karrikesh në sallë. Mos vallë nuk pati anëtarë në sallë kryebashkiaku? Po të ishte ndryshe, kamera nuk do të kishte ndenjur aspak në një vend, por do të kishte shëtitur nëpër sallë.
Sfidanti.al