Ah sa besnikëri ka futbolli, Ronaldo bisedon me PSG-në para finales së Championsit

Nuk është se do të çuditet njeri, por lajmi i fundit për Kristiano Ronaldon thjesht heq një “perde” që fsheh shumë gjëra në futboll. Mediat spanjolle raportojnë se agjenti i lojtarit portugez pati bisedime të fshehta me Paris SG, vetëm disa orë përpara sesa të luhej finalja e Ligës së Kampionëve, mes Realit dhe Juventusit.

Ronaldo, si çdo futbollist, premton besnikëri ndaj ekipit dhe tifozëve dhe që rregullat nuk e lejojnë të bisedojë me klube të tjerë ndërsa është nën kontratë. Po ashtu, Kristiano është shfaqur tepër i zemëruar me akuzën për shmangie nga taksat duke kërcënuar largimin, ndërsa tani i takon tifozëve madrilenë të shfaqen të zemëruar me sjelljen e tij.

Natyrisht, CR7 nuk është as i pari dhe as i fundit lojtar që e bën diçka të tillë, ndërsa puth stemën e Realit. Zllatan Ibrahimoviçit i kanë krijuar një fjali që e përkufizon kështu: “Po të puth dhe po të lë”, shoqëruar me një foto ku ai puth stemën e skuadrës së radhës, ndërsa ka ndërruar pa fund në karrierë. Gjithsesi, yje të tillë mbeten të rëndësishëm pasi ndihmojnë të fitohen trofe, ndaj edhe tifozët mezi i presin në skuadër, thjesht për të mos i dashur pasi ata largohen.

Sfidanti.al