Konte rrezikon shkarkimin nga Çelsi, por tifozët mund ta shpëtojnë!

Nuk është normale të ndodhë kjo në Angli, por Çelsi nuk është një klub i zakonshëm anglez. Pronar i tij dhe president është Roman Abramoviç, i cili ka një staf të zgjedhur sipas dëshirave të tij, dhe të gjithë këta nuk janë aspak të lumtur me mënyrën sesi është sjellë Antonio Konte me Diego Kostën. Abramoviç dhe të tjerët janë zemëruar shumë që trajneri italian e largoi me një sms sulmuesin kryesor të skuadrës dhe janë gati ta ndëshkojnë për këtë gjë.

Mediat britanike shkruajnë se në bordin drejtues të Çelsit ka pasur diskutime pikërisht për shkarkimin e trajnerit. Do të ishte e pamendueshme që kjo të ndodhte me Sër Aleks Fergusonin apo edhe me Zhoze Murinjon tek Mançester Junajtid, apo me Arsen Vengerin tek Arsenali. Abramoviç ka mentalitet tjetër dhe trajneri tek “blutë” nuk e ka lirinë tradicionale të futbollit anglez. Nuk do të ishte hera e parë që kjo do të ndodhte. Nga Çelsi janë larguar Murinjo, Hidink, Ançeloti, ndërsa Di Mateos nuk i mjaftoi fitorja e Championsit për të shpëtuar punën e tij.

Gjithsesi, Konte është në pozita të tjera. Çelsi ishte në vend të 10-të vjet, ndërsa ai e nxorri kampion kundër çdo parashikimi, duke qenë tepër pasionant në detyrë. Tifozët e duan pa masë, dhe besohet se Abramoviç do të mendohet mirë përpara se të vendosë.

Sfidanti.al