A mund t’ia marrin Gnabrinë Bajernit, Liverpuili e Man. Junajtidi?!

Nëse vjen puna tek paratë, nuk do ta kishin problem, sepse në asnjë kampionat në botë nuk paguhet më shumë sesa në Premier Ligë. Dy klube si Liverpuli e Mançester Junajtidi do të përballonin kërkesat ekonomike të Serg Gnabrisë, të cilit i kanëmbetur vetëm 18 muaj deri në fund të kontratës në “Alianc Arenë”. Lajmet nga Gjermania janë që lojtari ofensiv ende nuk ka shprehur dëshirën për të rinovuar kontratën me Bajernin. Shqetësimi në Mynih është i madh sepse Gnabri është shënuesi i dytë më i mirë i ekipit këtë sezon pas Levandovskit, me 12 gola. Futbollisti, sipas mediave gjermane, dëshiron të fitojë 15-16 milionë euro në sezon, aq sa Leroi Sane apo Kingsli Koman, por Bajerni është ende larg kësaj shifre. Gnabri luajti më parë në Angli, me Arsenalin dhe Uest Bromin, dhe për habi trajneri i asaj kohe i Uest Bromit, Toni Pulis, tha se “nuk është lojtar i nivelit për të luajtur në këtë ekip”. Tek Bajerni ka treguar krejt tjetër gjë. Kartoni i 26-vjeçarit arrin në 70 milionë euro, por do të zbriste në verë, kur t’i mbetej vetëm 1 vit kontratë.

Sfidanti.al