Ajo u bë qendër e polemikave në “Rolan Garos” derisa u largua dhe vëmendja siç ndodh shpesh u zhvendos tek ata dhe ato që luanin në fushë. Naomi Osaka gjithsesi nuk është një rast nga ata që zgjasin vetëm tri ditë, por problemi i saj mund të jetë edhe problemi i gjithkujt në këtë botë që jeton me shpejtësi të çmendur. Tenistja japoneze deklaroi se nuk do të marrë pjesë në Uimbëlldon, vetëm pak ditë pasi u tërhoq nga Grand Slemi i Parisit. Në Francë, Naomi iu shmang konferencës për shtyp dhe u kritikua e paralajmërua nga organizatorët. Ajo u përgjigj duke thënë se ishte e ngarkuar psikologjikisht dhe se kishte nevojë për qetësi, por e kuptoi se nuk do të binin dakord me të, ndaj edhe u largua. Për momentin, Naomi është vetëm, përderisa tenistët e tjerë vazhdojnë të shkojnë nëpër turne për lavdinë personale. Gjithsesi, ajo ka deklaruar se pasi të kalojë kohën me shokë e me miq, do të marrë pjesë në Lojrat Olimpike në Japoninë e saj.
Sfidanti.al