A është i merituar “burgu” i Liverpulit për Filip Kutinjon?!

Filip Kutinjo më në fund u bë një futbollist i zakonshëm. Dikush mendoi se talenti brazilian do t’i ngjante të tillëve si Havier Zaneti apo Françesko Toti duke hedhur poshtë tundimin e Barcelonës, por “Odiseu” i kohëve moderne nuk i mbylli veshët ndaj “këngëve të sirenave”, ashtu si Uliksi i lashtësisë. Në momentin e fundit përpara nisjes së sezonit, Kutinjo dërgoi një kërkesë për largim në zyrat e drejtuesve, diçka që zakonisht e dobëson pozicionin e çdo klubi, ndërsa Barça ka bërë ofertë 100 milionë euro.

Liverpuli, gjithsesi, e hodhi poshtë kërkesën e tij, dhe pronarët amerikanë deklaruan se asnjë ofertë nuk do të pranohet dhe se Kutinjo nuk ka çmim. Trajneri Jurgen Klop ishte shprehur më parë se “Liverpuli nuk është klub që shet”, ndërsa tani shtoi se “kontratat nuk kanë më asnjë vlerë, duhet të ndryshojë diçka”.

Që nga koha e gjyqit të Bosmanit, fuqia e lojtarëve është rritur, por sidomos nga biznesi i futbollit që po fuqizohet gjithnjë e më shumë. Klubet duhet të bëjnë llogarinë nëse ia vlen të mbajnë një lojtar për X vite që janë në kontratë dhe ta humbasin me kosto zero, apo të pranojnë ofertën më të mirë dhe të fitojnë një shumë të madhe parash. Liverpuli, besohet se po bën edhe ai lojën e tij për të marrë maksimumin nga Kutinjo, ndërsa afron fundi i afatit të transferimeve. Pozicioni i anglezëve gjithsesi është i mirë, pasi braziliani ka kontratë për disa vjet, ndërsa hatërmbetja e trajnerit Klop mund të kalohet. Koha shëron gjithçka.

Sfidanti.al