A do të mundet Interi të rikthejë Lukakun që kushtoi 115 milionë euro?!

Do të jetë një skuadër e ndryshme në krahasim me vjet. Interi edhe merr përforcime, por edhe pret të ketë largime, ndërsa njëri nga emrat kryesorë tashmë është i siguruar. Nga Anglia lajmërojnë se Romelu Lukaku do të kthehet në Milano, pasi klubi zikaltër arriti akordin me Çelsin e Londrës për huazimin 1-vjeçar. Italianët pranuan të paguajnë 10 milionë euro për një sezon huazim, një shifër e lartë, por ishte e pamundur që gjigandi belg të merrej ndryshe. Sulmuesi 29-vjeçar ishte më i miri në 2020-2021 kur Interi fitoi Serinë A nën drejtimin e Antonio Kontes, duke fituar edhe Topin e Artë në kampionatin italian, ndërsa Çelsi ia bleu kartonin për plot 115 milionë euro.

Gjithsesi, Lukaku ishte thuajse një dështim në Angli, duke shënuar shumë pak gola, duke humbur mjaft raste e duke mos e siguruar dot vendin e titullarit në ekipin e trajnerit Tomas Tuhel. Jo vetëm kaq, por ai u ankua publikisht për gjendjen që po kalonte në “Stemford Brixh” dhe kjo prishi çdo mundësi që situata të përmirësohej. Sidoqoftë, zikaltërit besojnë se në Milano, belgu do të kthehet ai që ishte, ndërsa klubi hodhi një tjetër hap të rëndësishëm. Mediat njoftojnë akordin për rinovimin e kontratës me trajnerin Simone Inzagi. Pasardhësi i Kontes do të ketë zgjatje të marrëveshjes me 1 vit deri në 2024, dhe kjo është edhe shenjë besimi, por edhe kush i Interit për të synuar me patjetër titullin.

Sfidanti.al