“Ushtari” Telushi dëshiron të bëhet sërish “gjeneral” tek Partizani

Është një përforcim, por edhe një rikthim. Bruno Telushi vlerësohej si “ushtari” i Partizanit, dhe ishte pjesë e skuadrës që doli kampione në 2019 nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega. Pas dy vitesh largimi, mesfushori vlonjat rikthehet tek të kuqtë, dhe ndihet i lumtur, si dhe falenderon trajnerin Dritan Mehmeti. “Partizani është shtëpia ime dhe është kënaqësi e madhe të kthehem këtu, – tha ai që nga Antalia, – kam muaj pa luajtur dhe fakti që dola në fushë më dha një ndjenjë te veçantë”. Telushi e ka provuar një herë shijen e titullit dhe dëshiron ta provojë sërish. “Objektivi i Partizanit gjithmonë është që të fitojë titullin, – u shpreh ai, – besoj se mund ta bëjmë edhe pse kam gjetur një skuadër me çuna të rinj”. Vlonjati 31-vjeçar është vetëm njëri nga përforcimet e Partizanit, pasi te kryeqytetasit kanë ardhur Romero, Cvetanovski, Da Silva, Rexhepi dhe Hoti. Të kuqtë vazhdojnë fazën përgatitore në Slloveni, ndërsa në korrik do të luajnë në Ligën e Konferencës ndaj Saburtalos së Gjeorgjisë.

Sfidanti.al