Nga Broja, tek Strakosha e Asllani: Ka lajme të mira për shqiptarët në Europë!

Gjëra të rëndësishme pritet të ndodhin këto ditë. Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të jenë në vëmendje të klubeve të ndryshme në Europë, dhe një hap i rëndësishëm sapo është bërë për Armando Brojën. Uest Hemi i Londrës ofron 30 milionë paundë stërlina për kartonin e sulmuesit të kombëtares, që do të thotë 35 milionë euro. Klubi i Premier Ligës, sipas mediave angleze, cilësohet tashmë një hap përpara konkurrentëve në garën për 20-vjeçarin kuqezi. Kartoni i Brojës mbetet në pronësi të Çelsit, ndërsa të interesuar për të janë edhe Njukasëlli, Evertoni, Notingemi në Premier Ligë si dhe Interi apo Napoli në Serinë A.

Çelsi ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me sulmuesin shqiptar, ndërsa klubi londinez po kalon një fazë tranzicioni. Shefja ekzekutive Marina Granovskaja, që e ka mbajtur Brojën në Londër, po largohet dhe priten drejtuesit e rinj. Ndërkaq, për Tomas Strakoshën interesimi mbetet i rëndësishëm dhe Njukasëlli është një destinacion. Mediat në Angli informojnë se klubi i Premier Ligës është rikthyer në garë për portierin kuqezi, ndërsa edhe Çelsi është kandidat, siç ka qenë më parë Fulhami. Së fundmi, por jo për nga rëndësia, Kristjan Asllani pritet të kalojë vizitën mjekësore këtë javë tek Interi. Mesfushori shqiptar i Empolit do të jetë në qendrën sportive milaneze bashkë me sulmuesin armen, Mkitarian, ndërsa më pas pritet nënshkrimi i kontratës.

Sfidanti.al