“Uragani Mesi” nuk njeh qetësi, priten gjyqet ndërsa ka thirrje edhe nga Argjentina!

Ishte njëra nga ditët e së vërtetës. Skuadra e Barcelonës u paraqit për testet e koronavirusit në kompleksin sportiv, por ai që pritej më shumë se të gjithë nuk erdhi. Lionel Mesi e mbajti fjalën që kishte thënë, sipas mediave, që nuk do të vendosej nën urdhërat e trajnerit Ronald Kuman, ndërsa ka polemika të mëdhaq nëse ai do të largohet me parametër zero nga “Kamp Nou”, apo do të duhet të paguajë klauzolën.

“Bomba” erdhi nga qendrimi i La Ligës, pra i organizatorëve të kampionatit spanjoll. Qendrimi i presidentit Havier Tebas dhe i juristëve të ligës ishte i qartë, dhe në favor të klubit, pasi sipas tyre Mesi ka detyrim të paguajë klauzolën në kontratën që i skadon qershorin e ardhshëm. Flitet për 700 milionë euro, dhe ndoshta La Liga mbajti krahun e anëtarit të vet, Barcelonës, ndërsa më herët radioja e njohur spanjolle, “Kadena Ser”, informoi se kjo klauzolë 700-milionëshe nuk është e vlefshme për vitin e fundit të akordit.

Pritet që çështja të kalojë në gjyq, ndërsa mediat e gjithë Europës janë duke u çmendur, nëse mund të shprehemi kështu, duke vendosur gjatë gjithë kohës tituj për çështjen e argjentinasit. Tifozët katalanas, ndërkaq, janë tepër të dëshpëruar, ndonëse nuk ka pasur protesta si ditët e kaluara, kur u sulmua selia e klubit në stadiumin “Kamp Nou”. Gjendja e tyre psikologjike përshkruhet shumë qartë nga fotot e fëmijëve të veshur me fanelën e Mesit, që ndihen shumë keq.

Ende sot, shumë ditë pasi kapiteni kërkoi zyrtarisht largimin, shumëkush nuk arrin të besojë se jemi në prag të mbylljes së një epoke të madhe, dhe të shkatërrimit të një dashurie që mendohej e përjetshme, asaj ndërment Mesit e Barcelonës. Me gjasë, numri 10 do të shkojë tek Mançester Siti, ku e pret me krahëhapur Pep Guardiola, ndonëse Paris SG, Juventusi, Interi apo Mançester Junajtid mbeten me shpresë.

Deri edhe presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, ka ndërhyrë në këtë debat, duke i bërë një ftesë emocionale patriotit të tij që të kthehet në atdhe dhe ta përfundojë karrierën me Njuell’s Old Bojs, skuadrën e tij të parë në fëmijëri. Duhet të presim edhe disa ditë për të parë sesi do të përfundojë kjo sagë, e cila ndoshta mund të marrë edhe ndonjë drejtim tjetër nëse presidenti i Barcelonës, Bartomeu, dorëhiqet, dhe kapiteni ndoshta ndërron mendje.

Sfidanti.al