As me 2-0 nuk je i sigurt me Bajernin, Hajnkes përmbys Hofenhajmin!

Prova doli shumë e vështirë, por u përballua me sukses të plotë. Bajerni i Mynihut nuk qenka e mundur të mposhtet në Gjermani edhe kur vihet poshtë me dy gola, dhe Hofenhajmi u detyrua të kthehej duarbosh nga Mynihu.

Skuadra simpatike mike, e udhëhequr nga trajneri edhe më shumë simpatik Nagelsman, kryesoi 2-0 që në 12 minutat e para të lojës, nën sytë e një publiku që nuk po besonte atë që po ndodhte, si dhe të presidentit Uli Hënes dhe shefit ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige. Mark Ut dhe Serg Gnabri ishin autorët e golave që dhanë iluzionin se bavarezët më në fund po mundeshin.

Trajneri Jup Hajnkes gjithsesi mbeti i qetë dhe besimi i tij ishte me baza. Po aq shpejt sa pësoi dy gola, Bajerni reagoi duke sjellë ndeshjen në barazpeshë me rrjetat e Robert Levandovskit dhe të Zherom Boatengut. Pas një futbolli të hapur dhe sulmues, tipik të Bundesligës, në vetëm 25 minuta ishin shënuar katër gola.

Me epërsinë e madhe morale, skuadra vendase përfundoi përmbysjen pas pushimit, me golat e shënuar nga Kingsli Koman, Arturo Vidal e Sandro Vagner. Kaq e madhe është diferenca në talent dhe përvojë, pra në potencial. Jo më kot Bajerni është rekordmen me 27 tituj në Gjermani dhe po ashtu rekordmen me 18 kupa të fituara. Jo më kot, është klubi më i pasur, si përfaqësues i Bavarisë, landit më të kamur gjerman, pra që ka tifozët më të pasur. Meqë shumicën e aksioneve të klubeve gjermanë i kanë tifozët, kjo e ngre Bajernin në një nivel tjetër. Pas javës së 20-të, bavarezët kryesojnë kampionatin me 50 pikë, plot 16 pikë larg Shalkes së vendit të dytë.

Sfidanti.al