Më në fund, Karolin Vozniaçki, në Australian Open trofeu i parë Grand Slam dhe nr.1 i botës

Karolin Vozniaçki shkruan emrin e saj në historinë e turneve Grand Slam në tenis. Tenistja daneze me origjinë polake triumfoi në Autralian Open duke fituar titullin e saj të parë madhor në karrierë. Në finale, 27 vjeçarja mundi rumunen Simona Halep, në një sfidë që zgjati 2 orë e 49 minuta. Setin e parë Vozniaçki e fitoi me taj brejk 7-6 edhe pse fillimisht kryesoi atë 3-0 me gejme.

Në setin e dytë, Halep kërkoi ndihmë mjekësore, megjithatë rumunia arriti të vendosë ekuilibrin në këtë ndeshje duke fituar setin e dytë 6-3. Halep e theu kundërshtaren e saj në shërbim në gejmin e 8 për të konfirmuar fitoren e fraksionit të dytë të ndeshjes në të 9.

Pas përfundimit të setit, tenistet që u shfaqën të lodhura edhe për shkak të motit shumë të nxehtë, pushuan për 10 minuta për t’u kthyer më pas në fushën e lojës për të zhvilluar setin më të lodhshëm të ndeshjes. Në fund ajo që mori më të mirën ishte Karolin Vozniaçki që e fitoi setin 6-4 dhe krejt takimin 2-1. Fitorja në Australian Open i jep mundësinë Vozniaçkit që të kthehet në krye të renditjes botërore të tenisit femëror pas 6 vitesh.

sfidanti.al