Mirë Interi, por Milani ç’pati që gaboi pas fitores së madhe në Napoli?!

Skuadrat nga Lombardia kanë një mallkim të vërtetë këtë sezon. Edhe pse janë të dyja në çerekfinale të Championsit, Interi dhe Milani duken si në “ethe” kur vjen puna për Serinë A. Zikaltërit u ndalën papritur në barazim 1-1 në fushën e Salernitanës, në një sfidë që duhej ta kishin fituar, por që nuk ia dolën. Robin Gosens shënoi për interistët që në 6’ dhe skuadra e trajnerit Inzagi pati dominim, por nuk shënoi dot. Në 90’, Antonio Kandreva, ish-lojtar zikaltër gjeti barazimin e pabesueshëm me një harkim që përfundoi në rrjetë. Interi pati epërsi në Salerno me 58 për qind mbajtje topi, 18-8 gjuajtjes dhe 9-3 në kuadrat. Kornet ishin 8-2 për miqtë.

Edhe Milani nuk ia doli, ndonëse gjithashtu duhej të kishte fituar. Barazim 0-0, madje edhe më keq se ai i Interit, pasi ndodhi në “San Siro” ndaj Empolit. Dhjetëra mijë tifozët nuk u besuan syve ndërsa dominimi ishte i plotë me 70 për qind mbajtje topi dhe 18-1 gjuajtjet. Kornet 9-0! Tashmë dy skuadrat milaneze rrezikojnë vendin në Champions, pasi Lacio është mbi ta, Roma dhe Atalanta mund t’i arrijnë e t’i kalojnë, ndërsa Juventusi mund të afrohet.

Sfidanti.al