Nuk pritej aspak e lehtë, por suksesi ndihej në ajër. Kombëtarja e Shqipërisë do të ketë në radhët e veta një lojtar të një nivelit vërtet të lartë, Nedim Bajramin, pasi u fitua gjyqi ndaj FIFA-s në Lozanë të Zvicrës. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e dha vendimin në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të vetë mesfushorit, i cili pritet të bashkohet me kombëtaren në grumbullimin në Varshavë për 3 ndeshjet e Botërorit. Bajrami ishte pjesë e grumbullimit në 22 mars të këtij viti para ndeshjeve të Botërorit ndaj Andorrës, Anglisë e San Marinos, por FIFA nuk e lejoi të luante.
Lojtari 22-vjeçar kishte qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Zvicrës nga U15 deri në U21. FIFA nuk e lejonte sepse kishte luajtur 4 ndeshje me Shpresat pas moshës 21 vjeç, dhe sepse nuk e kishte pasaportën shqiptare që kur nisi të luante për zviceranët në 2013. Gjithsesi, KAS-i në Lozanë e hodhi poshtë FIFA-n, duke vlerësuar dëshirën e Bajramit për të luajtur me Shqipërinë, dhe faktin se nuk pati pengesa nga Zvicra. Kombëtarja fiton një mesfushor me nivel të lartë, dhe në moshën e re 22-vjeçare, që do të ishte zëvendësuesi ideal i Ledian Memushajt. Ai po shkëlqen për Empolin në Serinë A, me dy asiste në dy ndeshjet e para, ndërsa pritet të japë një kontribut të madh për ekipin përfaqësues në ndeshjet e Botërorit ndaj Polonisë, Hungarisë e San Marinos.
Sfidanti.al